Në fillim të kësaj jave, Samsung u dha disa mediave të cilat mbulojnë dhe inspektojnë pajisjet e reja mbi teknologjinë, telefonin e tij të ri të palosshëm. Por me gjasë tanimë gjigandi i teknologjisë do të kishte dashur që të mos e kishte bërë.

Fatkeqësisht, telefoni i cili kushton jo pak, por plot 2 mijë dollarë e që konsiderohet risi, u thye në pak ditë. Mark Gurman i Bloomberg, në një postim në Twitter shkrujti se Galaxy Fold iu thye dhe ishte e papërdorshëm në vetëm dy ditë.

Dieter Bohn nga The Verge raportoi të njëjtën gjë, ashtu sikurse edhe Steve Kovach, nga CNBC, të cilit telefoni iu thye vetëm pas 1 dite që e kishte përdorur.

Samsung kishte marrë disa raportime për dëmtime të ekranit kryesor të kësaj pajisjeje dhe se do t’i inspektonte ato individualisht, për të përcaktuar shkakun.

Megjithatë, ashtu siç shkruan edhe BBC, kjo është një goditje domethënëse për kompaninë, e cila shpresonte që të bënte për vete konsumatorët me një produkt i cili kishte disa tipare impresive inxhinierike.

Një shpjegim për problemet e shfaqura është se disa prej atyre që e morën në dorë dhe e inspektuan hoqën një film të vendosur mbi ekran, duke menduar se ishte një shtresë tipike mbrojtëse që e gjen në të gjithë telefonat e rinj për ta mbajtur ekranin në kushte të mira derisa e blen.

Megjithatë, nëse Mark Gurman dhe Marques Brownlee e hoqën, Steve Kovach nuk e bëri një veprim të tillë, e sërish pajisja e tij shfaqi probleme të shumta.

Sipas ekspertëve mënyra sesi ekrani paloset, duke lënë vetëm një hapësirë fare të vogël në mes e bën atë tejet delikat dhe shanset që të ndodhin incidente të tilla janë të mëdha.

Por çështja është që nëse ky telefon 2 mijë dollarësh thyhet në duart e këtyre personave të cilët e kanë në profesionin e tyre që të inspektojnë dhe japin mendimin e tyre profesional rreth pajisjeve të reja, në momentin që del në treg për konsumatorët, numri i kthimit mbrapsht të këtij telefoni do të jetë shumë i madh.

Të gjithë ata të cilët e morën në dorë për ta inspektuar u shprehën se nuk e kishin trajtuar keq pajisjen.

Samsung zuri faqet e para të mediave ndërkombëtare duke lënë pas konkurrentët e tij pasi arriti që të prezantonte këtë pajisje para të gjithëve. Mesa duket nuk është mirë të jesh i pari kur e bën gabim dhe hedh në treg një pajisje që nuk është ende gati.

//tvklan.al