Operatori i dytë më i madh në treg i telekomunikacionit, ‘Telekom Albania’ është në shitje. Televizioni Klan ka mësuar se Telekom do t’i shitet kompanisë ‘Telekom Serbia’.

Në garë me Telekom Serbia janë edhe dy kompani bullgare, Vivacom, në pronësi të biznesmenit Spas Rusev dhe Globul Telenor, një tjetër operator në fushën e telekomunikacionit në Bullgari. Propozim për blerjen e aksioneve të Telekom në Shqipëri ka bërë edhe manjati grek Vardi Vardinogiannis, pronar i firmave Motor Oil Hellas dhe Vegas Oil and Gas.

Kompania ende nuk ka shpallur një lëvizje të tillë në pronësinë e kapitaleve të saj, por burime konfidenciale për televizionin Klan thonë se ofertat e dorëzuara nga të gjitha shoqëritë janë hapur, dhe më e larta ka rezultuar ajo grupit serb. Telekom Serbia është një kompani ku 22% të aksioneve janë në pronësi të shtetit serb, 22% i takojnë qytetarëve të Serbisë dhe 55.8% zotërohen nga Dunav banka, firmë po serbe, që operon në fushën e shërbimeve bankare dhe të sigurimeve.

Telekom Albania aktualisht zotërohet nga grupi gjerman Deutche Telekom, i cili arriti kontrollin e aksioneve të Cosmote Mobile Comunnications në Shqipëri në vitin 2015 duke u bërë pronar mazhoritar në grupin grek OTE që kishte pronësinë e operatorit Cosmote.

Shitja e parë e asteve të kompanisë u bë në vitin 2000, kur Cosmote bleu për 120 milionë Euro kompaninë shtetërore AMC.

Kjo është hera e parë në Shqipëri që një shoqëri serbe do të pozicionohet në një sektor strategjik, siç është fusha e telekomunikacionit. Tregu i shërbimit të telefonisë celulare aktualisht ndahet dhe me dy operatorë të tjerë, grupi britanik Vodafone dhe ai turk Albtelecom.

Tv Klan