Zbardhet juglindja dhe verilindja e vendit

I gjithë vendi është përfshirë nga temperatura tipike dimri disa gradë nën zero. Në verilindje dhe juglindje janë rikthyer reshjet e dëborës. Në zonat malore të Peshkopisë dhe Dibrës, trashësia e borës arrin në 20 centimetra. Në të gjitha lartësitë mbi 700 m janë angazhuar mjetet borëpastrues  me shpërndarjen e kripës për të evituar ngricat.

Sipas sinoptikanëve temperaturat janë 7 gradë më të ulëta se vlerat normale të Prillit.

“Jemi si temperatura dimri pasi vlerat minimale gjatë ditës së mërkurë kanë regjistruar në zonat malore edhe në -2 apo -3 gradë Celcius në orët e para të mëngjesit, ndërsa maksimumet do të shkojnë jo më shumë se 13 gradë Celcius në ultësirën perëndimore, që janë temperatura 7 gradë më të ulëta se vlerat normale. Edhe dita enjte mbetet me temperatura të ulëta”.

Të premten temperaturat do të pësojnë rritje të lehtë, por sërish vendi do të jetë i përfshirë nga reshjet e shiut.

“Duke filluar nga dita e premte dhe gjatë fundjavës do të kemi rritje të temperaturave, ato do të shkojnë rreth vlerave 16 apo 17 gradë Celcius në orët mesditës në ultësirën perëndimore, por që sërish mbeten më të ulëta se sa vlerat normale”.

15 ditëshi i dytë i Prillit na rikthen pranverën me temperatura mbi 20 gradë.

Tv Klan