Vala e të nxehtit godet Francën, Britaninë, Spanjën dhe Italinë

Europa po përjeton ditët më të nxehta në histori. Termometri në qytetin francez të Bordosë shënoi mbi 41 gradë Celsius, afro 1 gradë më shumë se rekordi i 16 viteve më parë, kur i nxehti ndikoi në 15 mijë raste vdekjesh në gjithë vendin.

I nxehti ka përfshirë gjithë vendin, teksa qytetarët në Paris e qytete të tjera, po freskohen ku të munden, duke nisur nga shatërvanët e deri tek plazhet në jug të vendit.

Autoritetet urdhëruan pezullimin e punës në disa reaktorë bërthamorë nga rreziku i mbinxehjes.

Temperatura deri në 40 gradë pritet të pushtojnë edhe Britaninë e Madhe, Spanjën e Italinë. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin sa më shumë dalje jashtë shtëpisë dhe qëndrimin në ambiente të freskëta gjatë orëve të drekës.

I nxehti afrikan dhe erërat e forta po ndihmojnë edhe në përhapjen e flakëve që kanë përfshirë Portugalinë qendrore, që kanë lënduar rreth 40 persona.

Ekspertët thonë se kjo valë e të nxehtit afrikan është pasojë e ngrohjes globale, pasi veçanërisht këtë vit, ato janë përsëritur dy herë deri tani dhe me periudha të gjata, çka konsiderohet si e pazakontë. Industrializimi që nisi që me Shekullin e 19 e ka ngritur mesataren e temperaturave me 1 gradë.

Tv Klan