Arrin në 5 numri i viktimave nga zjarret masive

Në Itali është shënuar temperatura më e lartë e regjistruar deri më tani në gjithë kontinentin, 48.8 gradë celsius. Termometri shënoi shifrën rekord në qytezën siçiliane të Sirakuzës. Shifra më e lartë e deritanishme në Europë ishte shënuar 22 vite më parë, me 0.3 gradë më pak.

Mediat italiane thonë megjithatë se kjo temperaturë është shënuar në termometrat e disa banorëve të qendrës së Sirakuzës dhe për të hyrë në historinë e rekordeve duhet të konfirmohet nga Organizata Botërore e Meteorologjisë. Por nuk ka asnjë dyshim që kjo renditet ndër verat më të nxehta të këtij viti dhe kjo ka ushqyer qindra vatra zjarri në gjithë vendin.

Kalabria dhe Siçilia kanë numrin më të lartë të vatrave. Zjarret kanë shkaktuar 3 viktima vetëm gjatë 24 orëve të fundit duke e çuar totalin e tyre në 5 që prej fillimit të Gushtit. Zjarret kanë shkrumbuar dhjetëra mijëra hektarë tokë me shkurre, pyje por edhe zona të banuara duke detyruar evakuimin e mijëra banorëve.

Autoritet thonë se në shumicën dërrmuese, flakët kanë qenë të qëllimshme, si nga banorët për hapjen e kullotave ashtu edhe mafia për përfitime të ndryshme. Zjarret vazhdojnë edhe në Greqi, ku vatra më problematike e momentit është ishulli Eubea. Autoritetet i varin shpresat tek shirat mundshëm gjatë orëve të ardhshme që pritet të përmirësojnë situatën.

Zjarret kanë gjunjëzuar edhe Algjerinë, ku deri më tani kanë shkaktuar 79 viktima. Bëhet fjalë kryesisht për flakë të qëllimshme.

Tv Klan