5 vatra zjarri aktive në vend

Vala e nxehtë afrikane vijon të mbajë të mbërthyer të gjithë vendin. Temperaturat më të larta u shënuan në Berat dhe Elbasan, ku termometri regjistroi deri 41 gradë Celsius.

Në veri të vendit temperaturat arritën deri në 40 gradë në Shkodër, ndërsa në Lezhë 39 gradë Celsius. Kryeqyteti po ashtu shënoi vlera të larta deri në 40 gradë Celsius, ndërsa në qytetin bregdetar të Durrësit arriti deri në 39 gradë. Sipas sinoptikanëve, kjo situatë e motit ekstrem do të vijojë deri të premten.

Për shkak të temperaturave të larta i gjithë vendi është i rrezikuar nga rënia e zjarreve. Sipas Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, aktualisht janë vetëm 5 vatra aktive dhe po punohet për fikjen e tyre.

Paralajmërimet e Institutit të Gjeoshkencave vënë në krye të listës qarqet Fier, Vlorë dhe Gjirokastër. Ndërsa rrezik i lartë në zona të lokalizuara ka edhe Shkdora, Lezha, Durrësi, Elbasani, Tirana, Berati dhe Korça. Në këto zona flakët rrezikojnë të përhapen shpejt dhe kontrolli i tyre bëhet më i vështirë.

Tv Klan