Akset nacionale të hapura, probleme me ngricat dhe në disa rrugë rurale

Ashtu siç ishte parashikuar temperaturat janë ulur ndjeshëm në të gjithë vendin. Ndërprerja e reshjeve të borës në zonat lindore është pasuar nga ulje e temperaturave të cilat gjatë natës, ku në Korçë dhe Dibër kanë shkuar deri ne -13 dhe -15 gradë Celsius. Problematike mbeten prania e ngricës në rrugë.

Si pasojë e ngricave Rruga e Arbrit ka qenë e bllokuar gjatë natës, por në mëngjes është hapur dhe qarkullimi vijon normalisht. Në aksin Peshkopi-Klos kalimi bëhet me zinxhirë në orët e mëngjesit për shkak të ngricave, ndërsa më tej Klos – Skuraj pa probleme.

Në akset rrugore Ura e Çerenecit – Librazhd, Peshkopi-Kala e Dodës-Kukës dhe Peshkopi- Draj Reç- Kukës kalimi bëhet me zinxhirë. Pjesa më e madhe e fshatrave në zonat e thella janë të izoluar dhe rrugët janë ende të pa hapura.

Gjithashtu këto zona kanë probleme me furnizimin me energji elektrike. Për shkak të ngricave një pjesë e qytetit të Peshkopisë kanë mungesë të ujit të pijshëm, tubacionet kanë ngrirë pasi temperaturat gjatë natës kanë qenë rreth -15 gradë nën zero.

Ndërsa në Korçë temperaturat kanë variuar nga -10 deri ne – 13 gradë Celsius. Të gjitha akset nacionale që lidhin Korçën me zonat e tjera të qarkut janë të qarkullueshme normalisht. Normal është qarkullimi edhe drejt destinacioneve turistike të Dardhës dhe Voskopojes, të cilat kalohen pa pasur nevojën e zinxhirëve. Trashësia e bores në zonat urbane është deri në 10 centimetra ndërsa në lartesitë mbi 1000 deri në 40 centimetra. Të bllokuara mbeten disa zona malore.

Temperatura nën zero në gjithë qarkun Elbasan të shoqëruara me fenomene dëbore në lartësi e prezence ngricash në pjesën tjetër.

Temperaturat e ulëta kanë qenë prezente edhe në Tirane. Shumë prej rrugëve të kryeqytetit kanë qenë të përshira nga ngrica, por pa probleme për qarkullim.

Klan News