Veliaj thirrje qytetarëve: Bashkëpunoni

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj u shpreh se në këto ditë të ftohta të motit strukturat e bashkisë janë në gatishmëri për t’u siguruar një ambient të ngrohtë personave të pastrehë. Veliaj vizitoi qendrën sociale “Strehëza”, ku ftoi të gjithë ata persona që nuk kanë mundësi të strehohen, t’i drejtohen kësaj qendre për të marrë një shërbim të specializuar.

“Të gjithë kemi dëgjuar histori njerëzore. Fati i hedh dhe i pret njerëzit aty ku nuk të shkon imagjinata njerëzore. Secili mund të ketë pasur dramat dhe problematikat e veta. Ne kemi këtu edhe një psikolog dhe asistencë sociale. Por, mbi të gjitha, duam që në këto netë të vështira të jemi këtu me një strehë, krevat, batanije dhe ushqim të ngrohtë”.

Ai kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve që mund të hasin njerëz në vështirësi për të sinjalizuar institucionet dhe të telefonojnë në numrin e emergjencës ose policinë e shtetit.

“Dua të ftoj të gjithë qytetarët, nuk na duhen fotografime dhe postime të njerëzve në nevojë, na duhet një telefonatë që këta njerëz t’i ndihmojmë. Duhet të jemi gjithmonë duke menduar cila është gjëja më e mirë për të ndihmuar personin dhe jo për të prodhuar sensacionin e radhës.”

Qendra “Strehëza” në Shkozë është ngritur në vitin 2018 dhe prej kësaj kohe funksionon si qendër ditore për strehimin e personave që nuk kanë një vend për të fjetur dhe u sigurohet mbështetje me fjetje dhe ushqim.

Tv Klan