Ka nisur që të punohet para 9 vitesh, por akoma rruga që do t’i shkurtonte 100 kilometra Tiranës, Dibrës dhe Shkupit është në këtë gjendje që sot.

Terreni i vështirë malor dhe kostot e mëdha për të përballuar ndërtimin e tuneleve kanë mbajtur peng ndërtimin e saj për një kohë të gjatë.

7 kilometrat ku është hedhur asfalti i parë në anën e Tiranës, kanë degraduar.

“ Jemi 7 kilometra larg nga Tirana, por kjo është pika e vetme ku mund të arrish. Më tej nuk mund të vazhdohet me automjet të thjeshtë.”

Në 45 kilometrat e tjerë, gjithçka duhet bërë nga fillimi, që me hapjen e trasës.

“Në këtë rrugë ka dy vjet që nuk punohet më. Njerëzit e paktë që takon thonë se kamionët e ngarkuar me materiale ndërtimi kanë degraduar edhe shtresën e parë që i është hedhur rrugës dikur.”

Në 12 Prill, qeveria miratoi një bonus për kompaninë, e cila bëri projektin dhe ofertën e parë për të ndërtuar rrugën. Firma ka ofruar 245 milionë euro për ta përfunduar të gjithë aksin.

Brenda një muaji, qeveria do të hapë tenderin për të parë nëse ka dhe oferta të tjera më të lira. Ministria e Transporteve është drejt finalizimit të një tjetër studimi fizibiliteti, i cili do të nxjerrë konkluzionin nëse në këtë aks do të vendoset apo jo tarifë.

Në fund do të merret mendimi i konsulentit ndërkombëtar.

Tv Klan