SPAK çon në pranga punonjësit e Ministrisë së Brendshme, shkelën barazinë në tender

Abuzimi me tenderin e uniformave të Policisë së shtetit ka vënë në pranga 8 zyrtarë të cilëve u është komunikuar masa e sigurisë arrest me burg, ndërsa për një tjetër është caktuar arrest shtëpie. Operacioni për ndalimin e tyre nisi në orët e para të mëngjesit të së shtunës, për t’u finalizuar disa orë më pas. Ata u dërguan menjëherë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Më konkretisht, bëhet fjalë për abuzimin me tenderin e uniformave të Policisë me vlerë 2.8 miliardë lekë, tender i hapur më 26 Korrik 2019 dhe mbyllur më 11 Maj 2020. Ky tender parashikonte të pajiste me veshje punonjësit e policisë për 4 vite radhazi. Sipas burimeve mësohet se zyrtarët janë vëzhguar dhe përgjuar nga SPAK, dhe nga këto ka rezultuar se ata kanë ndryshuar çmimet, sasinë dhe cilësinë e uniformave të kërkuara nga Policia e shtetit.

Zyrtarët e Ministrisë së Brendshme akuzohen se kanë shkaktuar dëm ekonomik dhe shkelje të barazisë në tendera apo ankande publike. Gjithashtu ndaj tyre janë ngritur dhe dyshimet se kanë dhënë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e operatorit fitues në këtë procedurë prokurimi. Mes të arrestuarve është Edlira Naqellari, e cila një javë më parë u shkarkua nga detyra nga ministri Bledi Çuçi. Ajo ka mbajtur postin e drejtoreshës së Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme.

Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Klevis Hasani janë anëtarët e njësisë së prokurimit. Ndërsa Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali, Gëzim Mingaj janë anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave. Në njoftimin zyrtar SPAK shprehet se ky abuzim po hetohet me përparësi për të saktësuar gjitha shkeljet dhe personat e tjerë të përfshirë në këtë skemë

Klan News