Ditën e djeshme në të gjitha mediat qarkulloi lajmi i një aksioni të Interpolit për parregullsi në trajtimin e mbetjeve spitalore të Covid-19. Ishte pikërisht kjo çështje që trajtoi emisioni “Stop” këtë të martë.

Para më shumë se një muaji QSUT hapi procedurat tenderin e trajtimit të këtyre mbetjeve, që vijnë nga spitalet Covid, me një fond limit 140 milionë lekë të vjetra për 12 muaj.

Kush ishin kompanitë që morën pjesë në këtë tender?

Në tender morën pjesë kompanitë “Eco Riciklim” me ofertën 98 milionë lekë të vjetra, “Pura Medical” me 116 milionë lekë dhe “Medi Tel” me 134 milionë. Nga procedura e prokurimit që zhvilloi QSUT u shpall fitues Medi Tel, me ofertën më të lartë, 134 milionë lekë të vjetra.

Emisioni “Stop” shkoi në të tria kompanitë konkurruese, ku parë nga afër teknologjinë e përdorur. Tek “Medi Tel” pas grumbullimit të mbetjeve, futen në autoklavë ku dalin të riciklueshme. Më pas dërgohen në Sharrë si mbetje të zakonshme.

Rezulton, se kompania me ofertën më të vogël “Eco Riciklim”, i ka të gjitha kapacitetet dhe teknologjinë për trajtimin e mbetjeve spitalore.

“Kjo është makineria që përdorim për riciklimin e mbetjeve e cila është makineria Newster. Trajtimi i mbetjeve fillon në temperaturën 60 gradë Celsius, e cila më pas shkon në temperaturën maksimale 150 gradë Celsius. Pas përfundimit të procesit mbetjet dalin sterile”, tha punonjësja e “Eco Riciklim”.

Më pas mbetjet futen në qese të zeza dhe dërgohen në Sharrë si mbetje të zakonshme.

Ndërkohë tek “Pura Medical” kompania nuk lejon hyrjen brenda ambienteve që të shikohet si trajtohen mbetjet.

Punonjësi: Këtu punohet. Do vish të punosh?

Gazetari: Po, do vij të punoj.

Punonjësi: Do vish të punosh?

Gazetari: Po do shikoj njëherë kushtet, si punohet.

Punonjësi: Ca kushtesh?

Gazetari: Po ja, me çfarë i trajtoni mbetjet. Mund ta shohim në këtë makineri? Vetëm si markë, me çfarë marke i trajtoni, çfarë makinerie është ajo?

Punonjësi: Ça marke?

Gazetari: Po, italiane, franceze, shqiptare, e kupton?

Punonjësi: Nuk ta hap dot.

Gazetari: Ok!

Madje vetë QSUT që pretendon se kjo kompani nuk ka kapacitetet dhe teknologjinë e nevojshme, ka pasur një kontratë me “Eco Riciklim” për 3 muaj për trajtimin e mbetjeve Covid-19, gjatë kohës së pandemisë, para se të zhvillohej tenderi.

Sipas QSUT-së, “Eco Riciklim” nuk ka teknologjinë e përshtatshme për trajtimin e mbetjeve Covid-19 sepse temperatura e sterilizimit 150 gradë nuk përftohet nga avulli i injektuar, por nga forca e injektimit me nxehtësi.

“Ky pretendim është absurd sepse kjo teknologji është certifikuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, gjithashtu edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”, shprehet gazetari i “Stop”.

Një tjetër fakt që tregon manipulimin e këtij tenderi është një dokument zyrtar që vetë QSUT, e cila ka pasur një kontratë me “Eco Riciklim” për 3 muaj për riciklimin e mbetjeve Covid-19 përpara pandemisë përpara se të zhvillohej ky tender dhe si për ironi të fatit, asokohe “Eco Riciklim” përmbushte standardet. Pak muaj më vonë, Eco Riciklim që kishte ofertën më të vogël nuk ishte fitues./tvklan.al