Gjata: Ish-ministri Sandër Lleshaj kishte dijeni për tenderin, SPAK të bëjë detyrën

Partia Demokratike kërkon hetim më të thelluar nga SPAK për çështjen e tenderit për uniformat e Policisë së Shtetit, çështje për të cilën janë arrestuar zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme. Nga Gjykata Penale, Sekretari për çështjet ligjore në PD, Çlirim Gjata shprehet se në hetim duhet të përfshihet dhe ish-ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj.

“Tani që SPAK bëri arrestimin e 9 zyrtarëve në lidhje me abuzimet dhe korrupsionin me këtë tender, z.Lleshi del dhe thotë që ‘Unë s’dija gjë’. Po si e bërë padinë para dy vjetësh për shpifje për këtë tender dhe sot s’paske ditur gjë? SPAK-u për gjithë këtë që u bë në drejtësi nuk mund të justifikohet dhe të kapë një peshk i cili qenka korruptuar me peshk. Tani, ne këto i inkurajojmë, nuk duam të jemi kundër këtyre, na kuptoni drejt. Ne duam të shkohet drejt kësaj, të shkohet te ata që vetë faktori ndërkombëtar që vepron në Tiranë, i ka quajtur ‘peshqit e mëdhenj’”.

Për PD vendimet lidhur me tenderin për uniformat e policisë nuk mund të merreshin vetëm nga zyrtarët e ministrisë, por dhe nga drejtuesi i saj. Gjata i bën thirrje SPAK që të vijojë hetimet në nivelet më të larta të Ministrisë, pasi sipas tij, fajtorët e vërtetë janë drejtuesit e këtij institucioni.

Klan News