Transmetimi i filmit ishte shtyrë për disa muaj për shkak të Covid-19

Filmi fantastiko-shkencor “Tenet”, nga regjisori Christopher Nolan, do të transmetohet këtë fundjavë në kinematë amerikane, me shpresën për të ringjallur ekonominë pas më shumë se 4 muaj mbylljeje totale.

Hollywood-i dha dritën jeshile javën e kaluar që “Tenet” të transmetohej në kinematë europiane, duke sjellë një fitim prej gati 53.6 milionë Dollarësh.

Sipas asaj që raporton Reuters, audienca edhe pse mbetet shumë e kufizuar dhe do të jetë e tillë deri në një periudhë të pacaktuar, ka nevojë për përmbajtje të re, pasi ritransmetimi i filmave të vjetër nuk e nxit atë që të frekuentojë kinematë.

Tani industria e filmit po pret të shohë nëse amerikanët janë po aq të etur sa europianët për produkte të reja. 

Filmi i Warner Bros, me protagonist John David Washington, kushton rreth 200 milion Dollarë dhe është shfaqja e parë më e madhe nga Hollywood që kur koronavirusi mbylli kinematë në Mars.

Në New York City dhe Los Angeles më shumë se gjysma e teatrove pritet të hapen edhe pse kapaciteti do të kufizohet në 50%. AMC Entertainment, zinxhiri më i madh i filmave në Amerikë, do të hapë 140 kinema këtë fundjavë.

Ndërkaq të tjerë filma si “Mulan”, por edhe një pjesë tjetër që pritet të kandidojnë edhe për Oscar, janë shtyrë për vitin tjetër ose do të transmetohen online.

Klan Plus