Tenori Kllogjeri: Bashkë me banorët ndërtuam një tendë për t’i shpëtuar tërmeteve

Tenori Kllogjeri: Bashkë me banorët ndërtuam një tendë për t’i shpëtuar tërmeteve

10:41 01/12/2019

“I lutem Zotit të mos na e bëjë këtë gjë përsëri”

Banorët e pallateve në rrugën “Foto Janku” në Tiranë kanë ndërtuar vetë një tendë plastmasi për t’u strehuar gjatë tërmeteve, të cilat kanë shoqëruar kryeqytetin gjatë këtyre ditëve. 

Tenori i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Armaldo Kllogjeri është banor i një prej pallateve të kësaj rruge në lagjen Don Bosko. Në një intervistë për tvklan.al, Kllogjeri tregon se banorët e kanë ngritur këtë tendë bashkërisht për të kaluar momentet e vështira, në rastet e rënies së tërmeteve.

Ai tregon se përveç pallatit të nxjerrë të pabanueshëm nga Njësia Administrative Numër 9, edhe banorët e pallateve të tjera presin që të vijnë ekspertët për t’i kontrolluar.

Tenori rrëfen se banorët e kësaj lagjeje e kalojnë një pjesë të mirë të kohës jashtë shtëpive. Ndërsa kur ndodhen brenda në shtëpitë e tyre, qëndrojnë me një sy hapur e një sy mbyllur. Kllogjeri thotë se si të gjithë shqiptarët, i lutet Zotit që fenomene të tilla të mos përsëriten.

Cila është situata për banorët? Si po e përjetojnë?

Me këtë impakt që dha ky tërmet, është një tragjedi e madhe që e kemi përjetuar të gjithë bashkë. Siç shikohet, banorët janë munduar të ngrenë një tendë për të kaluar natën në momentet e vështira të tërmeteve që bien vazhdimisht, nga paniku. Situata normalisht duket pak e qetë, por dhe e shkretuar sepse nuk janë të gjithë banorët. Disa kanë shkuar te të afërmit e tyre, disa janë larguar dhe nga qyteti. Te pallati që kemi përballë ka një problematikë kupola, që krijon hapësirën e dritës nga sipër për të kaluar nëpër shkallët e pallatit. Ka çeduar, ka një problem dhe është dhënë urdhër nga njësia nr. 9 që banorët mos të jetojnë aty deri sa të merret një masë mbrojtëse. Presim që nesër, na është thënë, por nuk e di se sa e sigurt mund të jetë, të vinë disa specialistë nga Greqia që ta shikojnë.  

Me sa pamë nga letra që kishte lënë Njësia Bashkiake, pallati momentalisht duhet të jetë i pabanuar. 17 nga 20 familjet kanë braktisur pallatin për arsye sigurie, në respekt dhe të udhëzimit të Bashkisë. Çfarë ndodhi me të tjerët?

Momentalisht, unë që jam në pallatin ngjitur, vazhdoj të jetoj në shtëpi brenda.

Keni pësuar krisje, dëmtime të apartamenteve tuaja?

Apartamenti im nuk ka pësuar krisje sepse unë e kam restauruar një vit më parë, por janë disa krisje të mureve të jashtme. Duhet të jetë një ekspert, një inxhinier që t’i shikojë muret mbajtëse nëse është çarë muri apo janë thjesht suva dhe duhen rikonstruktuar. Tani presim që të vijë një inxhinier që t’i shikojë me imtësi këto punë. Por kuptohet që për momentin ka njerëz që janë në nevojë, që janë pa shtëpi, ka pallate që janë shumë të dëmtuara. Edhe tërmeti është aq i pasigurt dhe i pabesishëm që të merr jetën në çdo moment.

Shohim që kjo strukturë është ngritur provizorisht nga ju, banorët e zonës. Ky është vendstrehimi juaj për të gjithë banorët e kësaj rrugë në kryeqytet? Pra, sa herë bie tërmet këtu pozicionoheni?

Në fakt, për fat të mirë këtu në lagjen tonë kemi dhe një hapësirë të konsiderueshme, ku mblidhemi, bisedojmë, qajmë hallet. Për momentin kemi ndërtuar një tendë provizore për të kaluar natën dikush.

Shohim që edhe fëmijët janë të strehuar këtu.

Edhe fëmijët. Është mëse normale, sepse paniku ka qenë shumë i madh dhe tërmetet janë të shpeshta. Po ashtu edhe siguria e pallateve, duke dëgjuar e duke parë nëpër lajme që tragjedia ka qenë shumë e madhe, mendojmë dhe mundohemi që ta kalojmë një pjesë të konsiderueshme të kohës jashtë shtëpive dhe pjesën tjetër ta kalojmë brenda, me një sy zgjuar dhe me një sy mbyllur.

Keni dhe një solidaritet njerëzor dhe një grupim me njëri-tjetrin këtu për të hequr tensionin dhe panikun, ndoshta dhe më lojëra të ndryshme për të aktivizuar dhe fëmijët, apo jo?

Kjo faktikisht është një gjë pozitive sepse në këto momente të vështira mendja duhet të jetë e fokusuar në disa gjëra që të kalohet kjo periudhë, të bjerë në qetësi dhe të shikohet përpara për mënyrën se si do të funksionojë pallati. Shpresojmë që ndihma që na kanë dhënë të huajt në këto momente të jetë vërtetë në duar të sigurta dhe vërtetë të shkojnë për këta banorë, që të ndërtojnë dhe të rifillojnë jetën e tyre normalisht, pavarësisht dramës që kanë përjetuar. Mendoj që kjo situatë është mëse normale. Nuk është një situatë që këtu familjet janë duke qëndruar jashtë në dyshekë sepse kuptohet që bashkia ka bërë një vendstrehim tjetër edhe për këta banorë. Por duke qenë se ne jemi këtu afër dhe nuk e kemi patur këtë problem, menduam që ta kalonim natën bashkërisht.

Ndërsa për banorët e pallatit të rrezikuar na u tha që kanë shkuar te familjarët e tyre.

Duke qenë se këta banorë kanë qenë më të prekurit nga ne këtu, mund t’i kishim ftuar dhe në shtëpitë tonë, por duke qenë se janë shumë pranë ngjarjes që ka ndodhur, kanë frikë edhe për pallatet e tjera. Është mëse normale që janë larguar. Unë ju falenderoj që ju gjendeni pranë nesh në këto momente të vështira, sepse media luan një rol shumë të rëndësishëm. Është i vetmi që u jep një mundësi njerëzve për të pasur një shikim real në ngjarjet që ndodhin në të gjithë Shqipërinë. Sinqerisht i lutem dhe unë Zotit si të gjithë shqiptarët që fenomene të tilla në një shtet kaq të varfër siç jemi ne, që është shumë vështirë për t’u përballuar dhe për ta rindërtuar jetën, të mos na e bëjë këtë gjë përsëri, sepse të gjitha pallatet që kanë lëvizur, si ato që janë ndërtuar pas viteve ’90 dhe para, mund të mbajnë deri diku. Por tërmetet që do të jenë në vazhdimësi, duhen marrë masa që t’i mbijetojnë edhe tërmeteve të tjera./tvklan.al


Grupi
LAJMET
Të ngjashme
Grupi