protesta

Tensioni në Gjirin Persik është i lartë pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike mes Arabisë Saudite dhe Iranit. Riadi zyrtar u la vetëm dy ditë kohë diplomatëve iranianë të largohen nga vendi. Autoritetet saudite vendosën gjithashtu edhe të ndërpresin të gjitha fluturimet me destinacion Iranin.

Masa ndaj Tehranit mësohet se kanë marrë edhe dy vendet aleate të Arabisë Saudite, Sudani dhe Bahreini. Ndërkohë mediat ndërkombëtare raportojnë se në Irak, vend me shumicë shi’ite, janë sulmuar dy xhami që i përkisnin sektit sunit.

Përshkallëzimi i marrëdhënieve mes Arabisë Saudite dhe Iranit vjen pas ekzekutimit të imamit shi’it sheikut, Nimër Al Nimër në Arabinë Saudite, pas të cilit, në shenjë revolte, u sulmua Ambasada Saudite në Teheran.

Tensionet mes dy vendeve kanë shqetësuar jo pak edhe administratën e Shteteve të Bashkuara, që bëri thirrje për qetësimin e situatës, por ndikuan gjithashtu edhe në rritjen e menjëherëshme të çmimit të naftës.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka zhvilluar biseda telefonike me ministrat e Jashtëm të dy vendeve, ndërsa pritet edhe dërgimi i një trupe diplomatike nga OKB -ja për të qetësuar situatën.

Analistët janë të mendimit se thyerja e marrëdhënieve mes Arabisë Saudite, të drejtuar nga sunitë dhe Iranit, nën udhëheqjen e shi’iteve, mund të jetë shkaku i ortekut në Lindjen e Mesme, ku dy fuqitë mbështesin palë kundërshtare në konflikte shkatërrimtare.

Imami Nimër Al Nimër u ekzekutua të shtunën, bashkë me 46 persona të tjerë, të akuzuar kryesisht për terrorizëm. Ai njihej si një prej kritikëve më të ashpër të familjen mbretërore saudite dhe ishte një nga drejtuesit e protestave anti-qeveritare në Provincën Lindore të Arabisë Saudite, me shumicë shi’ite në vitin 2011.

Tv Klan