Një ditë para ndeshjes Partizani – Vllaznia e parashikuar për t’u luajtur në “Selman Stërmasi”, situata në kryeqytet nuk është e qetë.

Në orët e para të mëngjesit Policia ka shoqëruar tre persona pjesë e një grupi prej 10 vetash që dyshohet se po përpiqeshin të dëmtonin fushën e stadiumit.

Shumica e tyre kanë mundur t’i shpëtojnë efektivëve të komisariatit 2, ndërsa tre personave të shoqëruar, të moshave nga 20 deri në 23 vjeç, u janë kapur edhe mjete pune me të cilat dyshohet se do të realizonin qëllimin e tyre.

Pavarësisht kundërshtisë së fanatiksave të klubit Tirana, policia e kryeqytetit ka garantuar zhvillimin ndeshjes Partizani – Vllaznia. Policia do të ushtrojë kontrolle të imtësishme.

Është njoftuar gjithashtu bllokimi i disa akseve rrugore që të çojnë për të stadiumin Selman Stërmasi. Janë angazhuar 261 forca policie dhe 5 grupe të FNSH-së. Edhe klubi i kuq ka siguruar tifozertinë e tij për zhvillimin e ndeshjes si dhe pas një takimi me krerët e policisë së kryeqytetit.

Ndërkaq në Shkodër janë përgatitur për të marrë pikë në kryeqytet.

“Do shkojmë për pikë shpresoj ta shënoj unë golin dhe t’i jap fitoren ekipit,

” tha Ditmar Bicaj. Mungesat e Vllaznisë pritet që të mos ndikojnë në lojën e skuadrës./Tv Klan