5 lojtarë me Covid akuzojnë Boldor për infektimin

Partizani do të shkojë me tension në derbi me Tiranën që luhet mbrëmjen e sotme. Mbrojtësi Deian Boldor që rezultoi pozitiv bashkë me Besnik Feratin, mendohet se ka infektuar edhe Esat Malën, Kristi Koten dhe Erald Çinarin. Edhe motra e Boldor që jeton me të rezultoi e infektuar.

Burime nga Policia e Shtetit bëjnë të ditur se mesnatën e kaluar ka patur një përplasje fizike mes rumunit Boldor dhe futbollistëve shqiptarë, të cilët e kanë akuzuar për pakujdesi dhe se në këtë mënyrë jo vetëm ka transmetuar virusin, por iu ka mohuar shokëve të skuadrës mundësinë për të qenë në ndeshje ndaj Tiranës.

Tv Klan ka mësuar gjithashtu se ndërhyrja e zyrtarëve të klubit të kuq ka bërë që sherri mes tyre të mos marrë përmasa ligjore. Boldor nuk ka bërë denoncim për shokët e tij edhe pse është paraqitur në spital pas sherrit. Por koronavirusi tek Partizani nuk i ka shqetësuar bardheblutë.

“Nuk është herë e parë që ka lojtarë të infektuar. Presim të dalin rezultatet e lojtarëve të tjerë. Po dolën negativë, nuk kemi pse të kemi frikë, vetëm kujdes do të kemi. Është diçka normale për ne, nuk është hera e parë”.

Tekniku i bardhebluve Emanuel Egbo vazhdon të qëndrojë me këmbë në tokë dhe me besimin se do të ketë ndihmë hyjnore nëse ndaj Partizanit si një ndeshje e radhës lojtarët e tij do të japin më të mirën e tyre.

Tv Klan