Parlamenti u kthye këtë të enjte jo vetëm skenë e akuzave të forta mes palëve, por edhe të përballjes fizike.
Arrestimi i Erion Veliajt ishte arsyeja e tensionit që çoi në ndërprerjen disa herë të seancës plenare.
Policia u vu nën akuzë nga opozita për përdorim politik, se nuk ndërhyri për të larguar njerëzit që ishin mbledhur përpara SPAK-ut dhe në mbrojtje i doli ministri i Brendshëm.
“Policia dje ka lejuar një tubim të paligjshëm dhe nuk kemi dëgjuar sot një njoftim që të ketë nisur procedim penal ndaj drejtorëve batakçinj”, tha Bardhi.
“Forcat e policisë janë afruar dhe janë shtuar me përforcime deri në përfundim të dhënies së gjykimit”, tha Hoxha.
Sali Berisha si jashtë ashtu dhe brenda parlamentit u kërkoi socialistëve të mos i bëhen mbrojtje një hajduti dhe akuzoi Edi Ramën se e çoi Veliajn në paraburgim në Durrës për ta shantazhuar që të mos flasë për aferat e kryeministrit për të cilat ka dijeni.
“Të burgosurit Erion Veliaj të cilin urdhëroi ta dërgojnë në Durrës në mënyrë që ta trajtojë Xhevdet Troplini. U dërgua atje për t’u kërcënuar në mënyrë që po mbylli gojën do pësojë këtë dhe atë. Garantoj që gjëja më e vogël po ndodhi në këtë proces do përgjigjet personalisht Edi Rama, qoftë ndaj Velisë, ndaj Velicës, ndaj prokurorëve, ndaj gjykatësve”, tha Berisha.
Berisha kërkoi dorëheqjen e Ramës dhe tha se arrestimi i Veliajt do të pasohet nga të tjera zhvillime.
Replikat më të shumta i pati me Toni Gogun që nuk e fsheh miqësinë me Veliajn, ku lëshoi akuza të tjera për menaxhimin e landfillit të Sharrës.
“Vetëm me dherat përvetëson 70 milionë euro, me dhera dhe inerte bashkë me Edi Ramën. A ka Zot more të pyes unë ty, a ka Zot në tokë që i pranon këto?”, tha Berisha.
“Punët e Zotit janë të pakuptueshme nga ana e njerëzve, por vetëm do më lejosh të lexoj një fjalë. Çfarë bëre, dëgjo, po më thërret nga toka gjaku i vëllait tënd. Doktor, nuk e thërrasim, patjetër kush ka vjedhur do japë llogari, po thërret gjaku doktor i 4 jetëve atje. Kjo ishte pyetja që bëra unë”, tha Gogu.
Akuza pati dhe për ministrin Manja.
“Ulsi Manja është në regjistrim se i kanë dërguar çunat e Londrës 500 mijë euro. Përveç 500 mijë Eurove, Ulëziu kërkon çantën Louis Vuitton”, tha Berisha.
“Ku i ke paguar ti Sali 500 mijë euro në Londër te zyra avokatore që mbrojnë kriminelët serbë kundër UÇK-së”, tha Balla.
Flamur Noka, i cili tregon gjithmonë se është I ndjeshëm kur kryetarit të tij i ndërpritet apo s’i jepet fjala replikoi disa herë me kryetaren e Kuvendit.
Deputeti Petrit Doda shkoi në ekstrem dhe tentoi të godasë fizikisht ministrin Balla që ishte në foltore.
Seanca u ndërpre për të rifilluar po me të njëjtin tension.
Noka u përplas me Gardën duke u përleshur me një prej gardistëve dhe tentoi të godasë me shishe edhe me ministrin Balla pas një debati që ai shkëmbeu me Berishën.
Seanca u ndërpre dhe u shty për ditën e hënë kur do të votohen dhe amendimet në Kodin Zgjedhor.
Tv Klan