Michigan-i, një shtet vendimtar që do të ndihmojë në përcaktimin e fituesit në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, po vazhdon numërimin e “dhjetëra mijëra” votave, sipas një zyrtareje të lartë të këtij shteti.

Në Detroit, ku vëzhgues të votimeve u ndaluan të hyjnë në sallën e numërimit të mërkurën pasdite, situata ishte e nderë.

Presidenti republikan Donald Trump e fitoi Michigan-in me një epërsi të lehtë në vitin 2016, por të mërkurën në mbrëmje organizatat kryesore të medias, parashikuan se demokrati Joe Biden kishte fituar në këtë shtet. Trump e ka bërë të qartë se do të luftojë për ta ndryshuar rezultatin atje.

Me 99% të votave të numëruara, Biden kishte një epërsi prej 60 mijë votash, sipas Detroit Free Press.

Gjendja ishte e tensionuar të mërkurën pasdite në qendër të Detroitit, ku zyrtarë të zgjedhjeve të qytetit ndaluan rreth 30 vetë, shumica republikanë që të hynin në sallën e numërimit të votave, për shkak të kufizimeve të kapacitetit për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Demokratët thanë se edhe ata ishin ndaluar. Një punonjës i votimeve i tha agjencisë Reuters se republikanët “po përpiqeshin të ngadalësonin dhe të pengonin numërimin”.

Policia e Detroitit u thirr për të zbatuar vendimin dhe disa prej atyre që u ndaluan nga salla u acaruan kur zyrtarët e qendrave të votimit bllokuan dritaret me kuti picash dhe karton për të mos lejuar që ata të shihnin nga dritaret.

Shumë vetë qëndruan jashtë sallës duke shprehur protestën e tyre dhe duke kënduar “Zoti e bekoftë Amerikën”, ndërsa një grup i dytë i sfiduesve republikanë të zgjedhjeve të cilëve u ishte refuzuar hyrja u vendosën në një rreth për t’u lutur dhe brohorisnin “Ndalo votën” dhe “Ndalo numërimin “./VOA