Një video, sipas Washingtonit tregon momentin kur pjesëtarë të gardës revolucionare ndërhyjnë për të hequr një minë të pashpërthyer të vendosur në anijen cisternë japoneze Kokuta, që transportonte naftë. Ngjarja ka ashpërsuar tensionet SHBA – Iran në kulmin e mosmarrëveshjeve për programin bërthamor iranian.

Bashkë me një tjetër anije me flamur norvegjez, dy cisternat u përfshinë nga flakët në rrethana të paqarta teksa transportonin naftë në Gjirin e Omanit. Sekretari Amerikan i Shtetit Mike Pompeo akuzoi forcat detare iraniane se i sulmuan me mina anijet.

“Ky vlerësim bazohet mbi të dhënat e shërbimeve të zbulimit, armët e përdorura, nivelin e eksperiencës për të kryer këtë operacion, sulmet e fundit iraniane ndaj anijeve dhe faktit që asnjë grup i huaj nuk vepron në zonë dhe për më tepër të veprojë në mënyrë kaq të sofistikuar”, thotë Pompeo.

Teherani i hodhi poshtë akuzat e amerikanëve, duke thënë se ishte përgjigjur menjëherë thirrjes për të ndihmuar në evakuimin e pjesëtarëve të bordit. Ndërsa kapiteni i anijes japoneze tha se para shpërthimeve kishte parë mjete fluturuese që lëviznin në zonë.

Tv Klan