Në vend që të flasin në Shkup në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive Petkov dhe Kovaçevski do ta bëjnë këtë vetëm në Romë, një ceremoni tradicionale e viteve të fundit.

Ndërkohë rriten tensionet e brendshme politike në Bullgari për mosmarrëveshjen me Maqedoninë e Veriut. Për të shpëtuar qeverinë, kryeministri bullgar mund të ngrijë temën “Maqedonia e Veriut” së paku deri në Vitin e Ri, përkundër presionit të madh të BE-së.

Evropa dhe Shtetet e Bashkuara po nxitojnë të sjellin Maqedoninë dhe Shqipërinë në Bashkimin Evropian, të shqetësuar se Putini mund të godasë pikërisht atje, duke nxitur armiqësitë e vjetra përgjatë linjave Shkup-Tiranë-Kosovë-Beograd.

Sipas qeverisë bullgare është momenti që të shihet nëse Maqedonia e Veriut ka një qëndrim serioz ndaj gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit ndaj popullatës etnike bullgare.

Mediat maqedonase kanë raportuar për takimin Petkov-Kovaçevski në Romë të hënën e ardhshme se është përgatitur dokumentacioni lidhur me procedurën për regjistrimin e bullgarëve në Kushtetutë. 

Sipas kërkesave të kryeministrit Petkov, çelësi për heqjen e vetos kundër Maqedonisë së Veriut për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE është ndryshimi i Kushtetutës, ku bullgarët duhet të regjistrohen si një popull shtetformues si shqiptarët, turqit dhe boshnjakët.

Shkupi kërkon që vetoja e Bullgarisë të hiqet para ndryshimit të Kushtetutës së Maqedonisë, me angazhimin e qartë që nëse në të ardhmen rezulton se Maqedonia e Veriut nuk i përmbahet marrëveshjes, Bullgaria të mund të bllokojë në fazën tjetër të procesit të negociatave.

Procesi parlamentar në Shkup për ndryshimin e Kushtetutës mund të zgjasë nga gjashtë muaj deri në një vit e gjysmë sepse kërkohet një shumicë prej dy të tretave të votave në parlament të cilat VMRO-DPMNE, partia kryesore opozitare e Shkupit, fillimisht refuzoi t’i japë. 

Parlamenti Evropian i bëri thirrje Sofjes dhe Shkupit që çështjen e tyre dypalëshe ta zgjidhin jashtë procesit të negociatave dhe që Këshilli Evropian menjëherë të vendosë nisjen e negociatave që janë bllokuar me veton që po mban peng edhe Shqipërinë.

Klan News