Gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias dhe homologut të tij turk, Mevlut Cavusoglu, në Ankara pati tensione të vazhdueshme në konferencën e tyre të përbashkët për shtyp.

Mediat helene janë ndalur dhe kanë analizuar se çfarë ndodhi të enjten. Në fakt, askush në Athinë nuk kishte ndonjë pritshmëri të madhe për vizitën e ministrit grek, Nikos Dendias.

Sjellja e Erdogan herët e kaluara, por edhe rritja e provokimeve gjatë 24 orëve të fundit, bënte që të mos pritej shumë nga ky event. Prandaj nga autoritetet më të larta të politikës greke kishte vetëm një urdhër të qartë: Përgjigjuni në rast provokimeve. Në fakt, shkruan Protothema, e vërteta është se konferenca mes Dendias dhe Cavusoglu u duk si finale tenisi.

“Nikos Dendias shënoi larg nga shtëpia”, thekson Protothema dhe këtë sipas saj e bëri duke dhënë përgjigje të qarta, publike dhe duke treguar pozicionin grek. “Sikleti dhe tronditja në fytyrën e stoikut Mevlut Cavusoglu, nuk le dyshime se Dendias ka marrë një pikë”, shkruan më tej Protothema. Sipas mediave helene, Dendias është provokuar më herët nga homologu i tij, por edhe Presidenti Recep Tayip Erdogan. “Por për habinë e tyre, ai u përgjigj”, thotë Protothema duke thënë se kjo lëvizje e shmangu që të bëhej peng i Erdogan.

Madje qëndrimi i Dendias është pritur pozitivisht edhe nga partia më e madhe opozitare SYRIZA. Pavarësisht kësaj, ata kanë kërkuar që të bëhet publike se çfarë është diskutuar mes Dendias dhe Cavusoglu.

Çfarë ndodh në Turqi?

Ndërkohë edhe në mediat turke, kjo ngjarje është pasqyruar gjatë. TRT shkruan se Cavusoglu në këtë takim ka thënë se mosmarrëveshjet mes dy palëve mund të zgjidhen me dialog. Megjithatë, tensioni mes palëve u pa në konferencën për shtyp. Shkak, sipas medias turke, u bë deklarata e Dendias, që sipas tyre, akuzonte Turqinë për ngjarjet në detin Mesdhe dhe çështjen e emigrantëve.

“Pozicioni i Greqisë është i qartë dhe nuk është hera e parë që po e dëgjon”, tha Dendias gjatë konferencës që zgjati 35 minuta.

Por kjo solli reagimin e Cavusoglu. “Nëse akuzoni rëndë vendin dhe popullin tim para mediave unë duhet të jem në pozitat që t’i përgjigjem kësaj. Nëse doni që të vazhdojmë tensionet ne mundemi. Ju nuk lejoni minoritetin turk në Greqi që ta quajnë veten turq. I thërrisni myslimanë. Nëse e quajnë veten turq, janë turq, ju duhet ta njihni këtë”, tha ai.

Ai theksoi se Ankara është e aftë që të mbrojë të drejtat e Turqisë dhe anës turke në Mesdheun Lindor. Megjithatë edhe pse mes palëve pati tensione, Dendias ftoi Cavusoglu që të vizitojë Athinën.

Kthim në shtëpi i Dendias

Takimin e parë, ministri grek Dendias e pati me kryeministrin e tij, Kyriakos Mitsotakis. Ai e ka informuar për çdo gjë që është diskutuar në takimet me Erdogan dhe Cavusoglu.

Sipas burimeve të Protothema, Mitsotakis është shprehur i kënaqur me mënyrën se si Dendias ka përballuar situatën. “Ministri i Jashtëm pati një bisedë të gjerë me kryeministrin”, thanë burimet për Protothema./tvklan.al