Pas tensioneve me Greqinë për kërkimet e gazit natyror në Mesdheun Lindor, Turqia duket se ka bërë një hap pas.

Anija turke e kërkimit Oruç Reis, është kthyer në portin jugor të Antalias, edhe pse ministri i Jashtëm i Turqisë nuk e konsideron tërhëqje. Sipas tij, anija është kthyer në port për shkak të problemeve teknike, dhe theksoi se nuk ka një marrëveshje me Greqinë.

Duke folur sot për televizionin turk “NTV”, Çavusoglu u shpreh se kjo ndodhi për shkak se anija Oruç Reis kishte nevojë për mirëmbajtje. Çavusoglu bëri të ditur se kërkimet për rezerva të gazit natyror do të vazhdojnë në momentin që anija të jetë gati.

Ndër të tjera, ministri i Jashtëm turk , deklaroi se Turqia pret që Bashkimi Evropian të mos vendosë sanksione ndaj Ankarasë, lidhur me mosmarrëveshjet e saj me Greqinë për Mesdheun Lindor. 

“Ankaraja është e hapur për negociata me Athinën, por pa parakushte”, tha ai, duke shtuar se nëse Greqia këmbëngul, edhe Turqia do të vendosë kushtet e saj.

Në muajin Gusht, Turqia dërgoi anijen Oruç Reis dhe dy fregata të marinës turke në rajonin e diskutueshëm pranë ishullit grek Meis, i njohur gjithashtu si Kastellorizo, për të cilin Greqia pretendon se shtrihet në territorin e saj dhe kërkon ndalimin e kërkimeve në det.

Delegacionet ushtarake nga Turqia dhe Greqia u takuan në selinë e NATO-s javën e kaluar, pasi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg nisi bisedimet për zgjidhjen e konfliktit midis dy vendeve anëtare të aleancës. /tvklan.al