Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken viziton sot Ukrainën. Vizita vjen në një kohë kur bisedimet e javës së kaluar me Moskën kanë arritur në një ngërç si dhe mes shqetësimeve të Uashingtonit, se Rusia po përgatitet të sulmojë Ukrainën.

Departamenti i Shtetit njoftoi se kryediplomati amerikan do të takohet me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy dhe ministrin e Jashtëm Dmytro Kuleba.

Ndërkohë Sekretari Blinken zhvilloi një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov. Në deklaratën e Departamentit të Shtetit thuhej se zoti Blinken theksoi rëndësinë e vazhdimit të një rruge diplomatike për të ulur tensionet lidhur me shtimin e pranisë ushtarake ruse në kufi me Ukrainën.

Pas vizitës në Kiev, zoti Blinken do të udhëtojë drejt Berlinit për një takim me ministren e Jashtme gjermane Annalena Baerbock, që do të pasohet nga një takim i Katërshes Transatlantike, një format që përfshin Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Francën dhe Gjermaninë.

Klan News