Në mes të tensioneve me Turqinë, Greqia ka marrë vendim për forcimin e ushtrisë. Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka deklaruar se shteti helen do të vlejë 18 avionë luftarakë francezë Rafale, 4 frigata dhe 4 helikopterë marine.

Gjithashtu planifikon ta rrisë numrin e forcave të armatosura me 15 mijë ushtarë gjatë 5 viteve të ardhshme. Mitsotakis ka deklaruar se vendi i tij do të blejë edhe armë antitank, torpedo dhe disa raketa ajrore.

Në fakt ky vendim i shtetit helen vjen pas tensioneve që gati sa nuk çuan në përplasje me Turqinë pas kërkimit të këtyre të fundit për gaz dhe naftë në Mesdheun Lindor.

Turqia dërgoi në një zonë të diskutueshme anijet e saj për kërkimin sizmik. Dy aleatët e NATO-s janë përplasur shpesh për të drejtat e tyre në Mesdheun Lindor, mirëpo frika vijon të jetë e madhe se mes tyre mund të ketë përplasje.

Deklarata për forcimin e ushtrisë është bërë pas takimit që Mitsotakis ka pasur me Emmanuel Macron. Në fakt Presidenti francez e ka mbështetur haptazi Greqinë në përplasjen me Turqinë. Nga ana tjetër, Bashkimi Europian dhe SHBA-ja ka bërë thirrje për dialog./tvklan.al