Analistët: Të dyja palët nuk duan konfliktin e armatosur

Tensionet Uashington – Teheran vijojnë të jenë të larta edhe pse palët e shmangën luftën pas vrasjes nga amerikanët të komandantit të Gardës Revolucionare iraniane Qasem Soleimani. Sirenat e alarmit ranë sërish natën e të mërkurës në Bagdad. Tre raketa ranë 100 metra larg ambasadës amerikane në zonën e gjelbër të kryeqytetit irakian ku ndodhen selitë e qeverisë dhe të përfaqësive diplomatike. Megjithatë, të lënduar dhe dëme nuk pati.

Sipas gazetarëve të BBC-së për Lindjen e Mesme, Jeremy Boëen dhe Anthony Zurcher asnjëra nga palët nuk dëshironte të përfshihej në konflikt të ashpër të armatosur.

“Sulmet iraniane ndaj bazave amerikane duket se kanë qenë të kalibruara me shumë kujdes, në mënyrë që të kënaqin dëshirën për hakmarrje të regjimit dhe popullit iranian. Por nga ana tjetër ato nuk provokuan Presidentin Trump që të jetësonte kërcënimet për sulme edhe më shkatërrimtare”.

“Donald Trump në konferencën për shtyp u duk më tepër sikur po kërkonte të dilte nga kjo situatë, duke u përpjekur të gjente një mënyrë për të shpallur fitoren dhe të shmangej nga shpallja e luftës. Ai foli më shumë për arritjet e deritanishme ndaj Iranit, sesa për atë që do të bëjë në të ardhmen”.

Këtë javë, Dhoma e Ulët e Kongresit amerikan pritet të miratojë rezolutën që kufizon vendimmarrjen e Presidentit Trump për luftën e mundshme me Iranin, e paraqitur nga kryetarja e Dhomës së Ulët, demokratja Nensy Pelosi.

Tv Klan