Tensionet në Ukrainë, Trump anulon takimin me Putinin



Tensionet në Ukrainë, Trump anulon takimin me Putinin

20:18 29/11/2018

Tensionet e krijuara mes Rusisë dhe Ukrainës pas incidentit detar në ngushticën e Kerçit, sollën reagimin e parë të fuqive të mëdha. Presidentin amerikan Donald Trump anuloi takimin me homologun e tij rus Vladimir Putin.

Duke qenë se anijet dhe marinarët nuk i janë kthyer Ukrainës, vendosa të anuloj takimin e parashikuar në Argjentinë

, njoftoi Trump përmes një postimi në Twitter.

Megjithatë presidenti amerikan e la portën gjysmë të hapur, duke thënë se është ende në pritje të një takimi kuptimplotë, sapo situata të zgjidhet. Trump e Putin do të takoheshin gjatë Samitit të G20, që do të mbahet të premten dhe të shtunën në Buenos Aires.

Gjendja mbetet e rëndë, veçanërisht pas vendimit të Kievit për të kaluar në situatë emergjente ushtarake. Presidenti Petro Poroshenko i druhet një mësymje të Rusisë për pushtim territoresh dhe i kërkoi ndihmë NATO-s.

“Shpresojmë që vendet e NATO-s të jenë të përgatitura për të dërguar anije në detin Azov në mbështetje të Ukrainës dhe të garantojnë sigurinë për ne”.

Poroshenko akuzon Putinin se po përpiqet të ringjallë perandorinë ruse dhe t’a shndërrojë Ukrainën në koloni të saj.

E vetmja gjuhë që Putin kupton është solidariteti i vendeve perëndimore,

tha Poroshenko.

Sipas marrëveshjeve të mëparshme mes Ukrainës dhe Rusisë, në ngushticën e Kerçit ku ndodhi incidenti, është i lejueshëm kalimi i anijeve të të dyja palëve. Por pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në 2014-ën, Moska kontrollon edhe hapësirën detare përreth gadishullit.

Tv Klan







Të ngjashme