Veliaj: Basha shkon për herë të parë në Teatër

Kryeministri Edi Rama thotë se Teatri i ri Kombëtar do të ndërtohet. Ai reagoi në rrjetet sociale pas tensioneve të paradites se të mërkurës duke u shprehur se asnjë minorancë nuk mund të kthehet në bllokim.

“Asnjë minorancë nuk mund të marrë peng asgjë e askënd në këtë vend. Megjithë respektin për një minorancë aktorësh teatri dhe politikanësh që s’kanë hyrë kurrë në teatër, po janë mësuar të bëjnë teatër me çdo gjë, Teatri i ri Kombëtar do të ndërtohet si plan e përgjegjësi qeverisëse”.

Sipas Ramës, projekti i Teatrit të ri ka miratimin e shumicës së artistëve dhe kush nuk është dakord nuk mund të pengojë të tjerët.  

“Teatrin e ri Kombëtar e kërkon kryeqyteti, vendi, kombi e shumica e komunitetit të artistëve të skenës. Njësoj si Stadiumi i Ri kombëtar ai do të jetë një gur kilometrik në rrugën e Shqipërisë që duam. Kush s’është dakord është i respektuar, po s’ka as mandat as të drejtë të pengojë”.

Një reagim në rrjetet sociale pati edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion veliaj që ironizoi deklaratat e kreut të opozitës Lulzim Basha.

“Lajm i mirë që pas kaq vitesh teatër në politikë, Lulzim Basha shkon për herë të parë në Teatër. S’besoj tallashi i ngjan ndonjë teatri në Holandë, ku më i fundit është Theatre de Stoep! Si tek Lodrat, Pazari, Bulevardi e Sheshi, Tirana do fitojë sërish”.

Projekti për Teatrin e Ri Kombëtar është ideuar nga “Bjarke Ingels Group”. Ai u prezantua gati një vit më parë. Parlamenti ka miratuar nisjen e procedurave për lidhjen e kontratës me kompaninë private që ka shprehur interesin për ndërtimin e Teatrit. 

Tv Klan