Policia dyshon se është i njëjti grup që grabiti argjendarinë në Kamëz

Hetuesit e Komisariatit nr. 6 kanë tashmë disa persona të dyshuar në lidhje me autorët e grabitjes me armë të 9 Dhjetorit në Prush të Tiranës. Policia po kryen verifikime dhe krahasime të pamjeve të kamerave të sigurisë, me ngjarjet e mëparshme.

Fokusi ka qenë në grabitjen e argjendarisë në Kamzë, krim i ndodhur më 28 Nëntor. Nga verifikimet e para rezulton se grabitësit kanë të njëjtat karakteristika trupore. Policia vijon kontrollet në banesat e braktisura dhe magazina të ndryshme, ku ka pasur dyshime se mund të fshihen autorët. Në tentativën e grabitjes në fshatin Prush të Tiranës morën pjesë 5 persona, njëri prej të cilëve në rolin e shoferit që do t’i largonte nga vendi i ngjarjes dhe 4 të tjerë hynë në banesën e shtetasit Gani Hima.

Ata ishin të armatosur dhe veshur me jelekë policie dhe sipas burimeve, janë prezantuar si efektivë dhe më pas kanë nisur të kanosin familjarët. Ata hapën zjarr ndaj forcave të policisë, të cilat mbërritën menjëherë në vendngjarje. Tre nga autorët janë larguar në drejtim të zonës së pyllëzuar të fshatit Prush dhe njëri prej tyre ka arritur të shkojë drejt makinës që po e priste.

Klan News