Tentativa për vetëvrasje në Infektiv, QSUT: Po bëjmë përpjekje për t’i shpëtuar jetën

Tentativa për vetëvrasje në Infektiv, QSUT: Po bëjmë përpjekje për t’i shpëtuar jetën

13:54 10/11/2020

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka reaguar pas ngjarjes së rëndë në Spitalin Infektiv, ku një pacient tentoi të vetëvritej duke u hedhur nga ballkoni i dhomës ku ishte shtruar prej ditësh.

Në një postim në mediat sociale, QSUT sqaron se pacienti me inicialet R.G., 69 vjeç aktualisht është nën kujdesin e mjekëve të këtij spitali.

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” sqaron opinionin publik se stafi mjekësor në Spitalin Infektiv po bën përpjekjet maksimale për të shpëtuar jetën e pacientit, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në spitalin Infektiv, ku një pacient tentoi të kryente aktin tragjik. Pacienti me inicialet R.G., 69 vjeç aktualisht është nën kujdesin e mjekëve të këtij spitali”, thuhet në reagim.

Më tej spitali deklaron se të gjithë mjekët janë në krye të detyrës dhe askush nuk do mbetet pa marrë shërbimin mjekësor.

“Në këto ditë të vështira të përballjes me Covid-19, kur mjekët tanë po bëjnë një sakrificë të jashtëzakonshme, sigurojmë qytetarët se jemi në krye të detyrës dhe askush nuk do të mbetet pa marrë shërbim mjeksor!

Në këto momente nevojitet bashkëpunim dhe drejtësi në përcjelljen e informacioneve, për të ndihmuar mbi të gjitha stafet mjekësore që janë 24 orë në shërbim, siç kanë bërë dhe do të bëjnë deri në fund të kësaj beteje!”, përfundon deklarata.

Ky reagim vjen pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Infektiv, ku pacienti R.G. 69-vjeç tentoi te vetëvritet duke u hedhur nga kati i dytë./tvklan.al



Të ngjashme