Kryeministri Edi Rama nuk e ka mohuar këtë të mërkurë raportin e SHISH që flet për rritjen e ndikimit rus në Shqipëri. Sipas tij, nuk është sekret fakti që Rusia nuk është vend tifoz i zgjerimit të BE-së dhe as i ecurisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në union.

Rusia nuk është vend tifoz i BE-së, i zgjerimit të BE-së dhe natyrshëm s’mund të ketë tifozëllik për ecurinë evropiane për asnjë prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, kjo nuk është sekret, kjo dihet, ndërkohë që ne kemi një axhendë kombëtare, kryefjalë e së cilës është të bashkohemi në familjen evropiane.

Sa herë që kjo axhendë cenohet, aq herë kush nuk është tifoz i Evropës, i BE-së, i integrimit të plotë të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, pa diskutim që sheh një oportunitet

”, tha Rama në përgjigje të gazetarëve, në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun nga Maqedonia e Veriut, Zoran Zaev.

Dy ditë më parë, kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo, paraqiti të dhënat mbi përpjekjet e Moskës në një seancë me dyer të mbyllura në Komisionin e Sigurisë të Republikës së Shqipërisë.

Bendo i njohu deputetët me raportin sekret analitik për vitin 2018, teksa çështja e influencës ruse zuri pjesën më të madhe të diskutimeve pas leximit të raportit.

Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë folur me shqetësim javët e fundit mbi përpjekjet e Rusisë për të shtuar influencën në Ballkan. Komandanti i Forcave Amerikane në Evropë, Curtis Scaparrotti, tha gjatë një raportimi në Senat se Rusia ushqen paqëndrueshmërinë rajonale në përpjekje për të parandaluar vendet e Ballkanit në përparimin e tyre drejt integrimit euroatlantik./tvklan.al