Avokati: Mungesa e figurës së babait ka bërë që të mbështetet shumë tek nëna e tij

Një i mitur është burgosur për akuzën e përdhunimit dhe ngacmimit seksual të grave. Djali, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për shkak të moshës, ishte vetëm 14 vjeç kur shkoi për herë të parë në Alexandra Park në Oldham, në Greater Manchester të Britanisë për të kryer një sulm seksual.

Ai gjithashtu u përpoq të përdhunonte dy nëna të reja, njëra prej të cilave ishte së bashku me fëmijën e saj të vogël. Policia bëri të ditur se ishin në dijeni të 5 rasteve të ngjashme, por vetëm për 3 prej tyre kishin prova të mjaftueshme.

Djali, i cili sot është 17 vjeç, arriti të përfundonte në polici pasi njëra prej “viktimave” të tij mundi të bënte një fotografi në momentin kur ai po e sulmonte atë seksualisht. Ai e ka kërcënuar gjithashtu me thikë dhe ajo i është lutur për jetën e saj sepse kishte 3 fëmijë. Personin e dytë ai e ka tërhequr pas pemëve. Incidentet kanë ndodhur në Prill të vitit 2017 dhe deri në Mars të këtij viti.

Kur ai u paraqit para gjykatës, avokati i tij mbrojtës Haseeb Yousaf  tha se adoleshenti ka patur një edukim normal, por mungesa e figurës së babait ka bërë që të mbështetet shumë tek nëna e tij dhe gjithashtu negativisht kanë ndikuar edhe bashkëmoshatarët e tij.

Ai është dënuar me 4.6 vite burgim, por do të qëndrojë i izoluar deri në vitin 2027 për shkak të rrezikshmërisë së lartë që paraqet. /tvklan.al