Britani- Gjykata e Caernarfon ka dhënë dënimin për një shqiptar, i cili u arrestua në 28 Nëntor 2018, pasi tentoi të fuste në territorin anglez, katër bashkatdhetarët e tij.

Dhurim Bucur, u përpoq përmes Holyhead Ferry Port të fuste ilegalisht katër shqiptarët, por nuk mundi dot ta çonte deri në fund “misionin” e tij.

Sipas “Wells Online”, Dhurimi u ndalua nga policia kufitare, teksa ishte duke udhëtuar me makinën e tij tip “Benz” dhe brenda saji ishin 4 shqiptarët që tentuan të hynë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar në 28 Nëntor 2018.

Në 21 Dhjetor, Bucuri pranoi para gjykatës të Caernarvon se ata ishin emigrantë dhe ai po i ndihmonte për ti futur në territorin anglez. Më herët 27- vjeçari, kishte thënë se nuk i njihte pasagjerët, por i kishte marrë në një autostop në Irlandë, dhe mendonte se ata ishin shtetas italianë.

Por, gjatë kontrollit të ushtruar nga policia, rezultoi se ata ishin shqiptarë dhe po tentonin të hynin ilegalisht në territorin anglez.

Bucur ka pranuar se ka shkelur ligjin e imigracionit dhe është dënuar me 32 muaj burg, raporton, “Daily Post”. I riu, i cili jetonte në Barnet, Londër, ka hyrë në Britani në vitin 2013 dhe ka përdorur dokumente të vjedhura italiane.

Pasi u zbulua dhe dëbua, në vitin 2016 ai tentoi sërish për të hyrë në Britani, pasi u martua me një shtetase nga BE.

Tani ai do të vuajë dënimin në Britani, ndërsa 4 shqiptarët e arrestuar janë dërguar në Shqipëri.

/tvklan.al