Policia Kufitare e Rinasit ka goditur sot një tjetër rast të mitëdhënies. Në një njoftim për mediat, autoritetet bëjnë me dije se një 24-vjeçar, Leonard Lami është arrestuar pasi ka tentuar të korruptojë një punonjës të Policisë Kufitare.

Lami sipas Policisë së Shtetit nuk plotësonte kushtet për udhëtim në vendet e BE, por për të kaluar në mënyrë të paligjshme i ka ofruar një punonjësi 50 Euro.

Si rezultat i shtimit të kontrolleve në zbatim të masave parandaluese për moslejimin e udhëtimit drejt vendeve të BE-së të atyre shtetasve që nuk plotësojnë kushtet për të lëvizur në hapësirën Schengen, shërbimet e Policisë Kufitare në Rinas kanë arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, shtetasin L. L., 24 vjeç, banues në Tiranë”, njofton Policia.

Ndërkohë Policia Kufitare apelon për të gjithë shtetasit që duan të udhëtojnë drejt vendeve të BE-së, që në rast se nuk plotësojnë kushtet për të lëvizur në hapësirën Schengen, të mos ndërmarrin asnjë veprim të kundërligjshëm dhe të mos përpiqen për të korruptuar punonjësit e Policisë pasi do përballen me ligjin./tvklan.al