Gjykata e Lezhës ka lënë në burg autorin e plagosjes së 51-vjeçarit Martin Prenga mbrëmjen e së premtes në zonën e Fanit në Mirditë. Florian Gjoka u njoh me masën e sigurisë në Gjykatën e Lezhës.

Në seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura, pasi dëgjoi palët, gjyqtari Artan Hajredinaj e cilësoi të ligjishëm arrestimin e 21-vjeçarit dhe vendosi ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” pa afat për veprat penale “Vrasja me paramendim, e mbetur në tentativë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Policia thotë se autori i dyshuar Florin Gjoka tentoi të vriste me armë 51-vjeçarin Prenga pas një sherri me të. Nga të shtënat, Martin Prenga mbeti i plagosur në këmbë dhe u dërgua në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën./tvklan.al