Elton Meta, 31vjeç, që tentoi të vriste veten në Zhupan të Fierit është arrestuar nga Policia. Në një njoftim për mediat, autoritetet bëjnë me dije se Elton Meta ka rënë në pranga për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Dhunë në familje”.

Meta për motive të dobëta kishte shkuar në fshatin Zhupan, në oborrin e banesës së vjehrrit të tij, dhe ka kanosur me një armë zjarri personat që ndodheshin në banesë. Më pas ka dalë në oborrin e banesës dhe kërcënoi se do vriste veten me armën që dispononte.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së shtunës, por për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike të autorit ndërhyrja e shërbimeve të policisë ishte me rrisk, ndaj dhe arrestimi i të riut është bërë pas negociatave.

Blutë e Fierit në cilësinë e provës materiale kanë sekuestruar armën e zjarrit kallashnikov, 2 gëzhoja dhe 25 fishekë luftarak./tvklan.al