Tenton të vetëvritej kur ishte 12-vjeç duke u hedhur nga kati i 4-t, Xhorxhina: Thashë lamtumirë dhe…



Tenton të vetëvritej kur ishte 12-vjeç duke u hedhur nga kati i 4-t, Xhorxhina: Thashë lamtumirë dhe…

17:47 20/04/2021

Në programin “Rudina” në Tv Klan, ka qenë e ftuar një vajzë të re me një pasion të madh për librat, Xhorxhina Roçi. Këtë pasion ajo e ka materializuar në një faqe në Instagram, por gjithashtu edhe në një kanal në YouTube në të cilin jep sugjerime lidhur me tituj të ndryshëm, autorë të njohur shqiptar dhe të huaj si dhe punon si agjente shitjesh.

Por përveç saj, ajo ka treguar edhe për historinë e fortë të jetës së saj, ku përmes dy momenteve të rëndësishme, por shumë të vështira në jetë, 28-vjeçarja ka kuptuar rëndësinë e jetës dhe dëshiron të jetë frymëzim për të gjithë personat që aktualisht po kalojnë situata të vështira, duke i motivuar.

Kur ka qenë 12 vjeç për shkak të bullizmit nga shokët dhe shoqet e saj dhe nga vlerësimi i ulët i vetes, ku e shihte veten si njeri të padobishëm, ajo tentoi të hidhej nga kati i 4-t por shpëtoi mrekullisht. Pasi u rizgjua, Xhorxhina ka kuptuar gabimin që kishte bërë duke parë lot në sytë e familjarëve dhe kështu filloi ta donte më shumë veten duke mos u ndikuar më nga askush.

Rudina Magjistari: Ke rrezikuar jetën, zgjodhe të hidheshe nga kati i katërt në moshën 12-vjeçare. Për fat të mirë Zoti të shpëtoi, por unë dua të di këtë histori, si ka ndodhur dhe pse?

Xhorxhina Roçi: Për ta treguar këtë histori, për mua ka qenë shumë e vështirë sepse edhe kur e rikujtoj edhe kur e kam rikujtuar më kapte ankthi dhe më merrej fryma sepse ka qenë një moment shumë i vështirë. Unë kam qenë një vajzë disi e mbyllur, pra nëse kisha emocione ose nëse bullizohesha në shkollë, unë e mbaja përbrenda. Unë vija nga një familje e thjeshtë që në bazë të sakrificave të tyre më kanë edukuar me dashurinë për shkollën, për studimin, sidomos im at që nuk jeton më fatkeqësisht. Ai ma ka rrënjosur këtë gjë dhe më dukej në fillimet e mia sikur isha një barë për familjen.

Nuk më dukej vetja e dobishme në familje dhe më dukej vetja jo e bukur, jo e shkathët si shoqet. Erdhi një moment që fillova të mendoj shiko për çfarë i duhem unë shoqërisë? Shoqet në shkollë më tallnin, në shtëpi unë çfarë kontributi do jepja se isha shumë e vogël për të dhënë një kontribut qoftë monetar qoftë edhe në këshillim. Kështu që erdhi një moment që unë isha e frutruar dhe i mbaja këto gjëra përbrenda, jo se nuk e kisha mbështetjen nga familja sepse isha më e vogla dhe më e llastuara, çdo gjë jepjani gocës së vogël, mos ma luani gocën e vogël, por e kisha këtë frustrim brenda vetes sime dhe nuk e shprehja.

Rudina Magjistari: Pse ti nuk ndiheshe e bukur?

Xhorxhina Roçi: Janë disa gjëra që kur i shikon tani mund të të duken shumë fëmijërore, të duken gjëra pa vlerë dhe kur i mendoja në atë kohë më dukeshin gjëra shumë të rëndësishme, pse nuk jam e bukur, pse ajo luan më mirë se sa unë, ajo tallet me mua pse nuk luaj mirë, pse nuk kërcej mirë.

Rudina Magjistari: Pra ti kishe mungesë vlerësimi prej mënyrës se si silleshin shokët me ty?

Xhorxhina Roçi: Po, ata më bullizonin dhe ndërkohë unë e krahasoja veten me to, e lejoja që ato të më bullizonin dhe ky është një gabim shumë që shumë individë e lejojnë që të bëhet. Unë isha shumë e urtë, nuk i tregoja vendin dhe kjo është ajo gjë që u përpoqa që nëpërmjet kësaj video të të tregoja që duhet t’i tregosh vendin këtyre njerëzve, mos e lejosh veten të krahasohesh me të tjerë. Të mos e lejosh veten të mendosh që t’i nuk je e bukur.

Isha në një moment që e ndjeja vetën të frustruar, shumë të ndrojtur. Për shembull nëse thyeja një pjatë në shtëpi më dukej çfarë dëmi po i bëj familjes me sakrificat e tyre. Ndihesha fajtore dhe kjo ndodh tek një njeri që ka një botë shpirtërore shumë të pasur. Duke mos i kthyer përgjigje atyre mendoja se po i bëja mirë atyre, por po i bëja dëm vetes. E lodhur dhe e mërzitur nga e gjithë kjo, një ditë futem brenda në shtëpi, ka qenë një moment që nuk doja të shikoja më asnjë person tjetër, nuk doja as veten dhe hap dritaren, ka qenë darkë, shoh qiellin dhe them lamtumirë dhe pa e menduar fare se çfarë dëmi po i shkaktoja vetes sime në radhë të parë sepse unë nuk e mendova pjesën e familjes, gjë që e mendova pasi u rizgjova.

Ka qenë momenti që shpëtova dhe hapa sytë dhe pashë babin tim duke qarë, mamin duke qarë dhe aty e kuptova e thashë sa egoiste jam treguar. Motrat që qanin dhe aty kuptova se çfarë kisha bërë. Sa pak e kisha dashur jetën time por edhe të familjes sime, sa vuajtje do i shkaktoja unë asaj nëne që nuk do e kishte më vajzën e saj të vogël. Kur e mendoj këtë gjë tani, them nëse ka njerëz që kanë qenë për mua mbështetja më e madhe, kanë qenë familja ime dhe nëse mendoj diçka apo t’i bëja dëm vetes sime ose të bëj veprime të tjera, janë ata të parët për mua.

Është vetja ime vërtet, por janë dhe ata bashkë me mua. Për fatin tim të mirë unë shpëtova, mund të kisha ngelur e paralizuar, mund të kisha patur dëmtime. Jam kaq mirënjohëse që Zoti më dha mundësinë që të hapja sytë dhe të kuptoja se sa e bukur është jeta. /tvklan.al







Të ngjashme