Mbytet gomonia me emigrantë, 31 viktima





Mbytet gomonia me emigrantë, 31 viktima

17:59 24/11/2021

Ngjarja në kanalin Francë-Angli, arrestohen 4 persona 

31 emigrantë kanë humbur jetën këtë të mërkurë pasi u nisën nga brigjet franceze për të arritur në Britaninë e Madhe me një gomone e cila u mbyt në kanalin pranë Calais. Raportohet se në mesin e viktimave u gjetën 5 gra dhe 2 fëmijë.

Autoritetet franceze konfirmuan se në gomone kanë qenë 34 persona, 2 prej të cilëve janë shpëtuar dhe po trajtohen në spital ku gjendja e tyre është e rëndë ndërsa fati i një personi nuk dihet. Është ende e paqartë edhe kombësia e viktimave.

Policia franceze njoftoi se 4 persona janë arrestuar si të dyshuar për trafikimin e këtyre klandestinëve.

Kjo tragjedi është cilësuar si humbja më e madhe e jetëve e ndodhur ndonjëherë pranë kanalit që kur filloi mbledhja e të dhënave në vitin 2014.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha se nuk do të lejojë që kanali të bëhet varrezë emigrantësh. Ai bëri thirrje për një takim urgjent të ministrave evropianë për të përballuar sfidën e migracionit.

Por Kryeministri britanik Boris Johnson kërkoi më shumë bashkëpunim nga Franca për çështjen e emigrantëve  pasi tha se nuk është bërë mjaftueshëm.

Vetëm këtë muaj 174 varka të vogla me emigrantë kanë zbarkuar nga Franca në Mbretërinë e Bashkuar.

Kalimet këtë vit janë trefishuar krahasuar me vitin 2020 kur numri i personave të cilët kanë ndërmarrë udhëtimin nëpërmjet detit shkon në mbi 25 mijë njerëz.

Tv Klan













Të ngjashme