Personat që tentuan të trafikonin drejt Italisë me gomone rreth 1 ton kanabis nga grykëderdhja e Vjosës do të qëndrojnë në burg. Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi masën e sigurisë arrest me burg për 39-vjeçarin Arjan. A dhe 33-vjeçarin Eduard. Xh, që dyshohet se do të transportonin lëndën narkotike. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor.

Prokurorët e Krimeve të Rënda janë mjaft të rezervuara në detaje, pasi thonë se operacioni vijon, pasi ka dyshime se të arrestuarit kishin vetëm rolin e transportit të lëndës narkotike dhe pas tyre fshihen dhe persona të tjerë. Sipas të njëjtave burime mësohet se droga ishte grumbulluar në zonën e Vlorës.

Mëngjesin e 22 Janarit, Policia Kufitare e Vlorës në bashkëpunim me Guardia di Finanza italiane u vunë në ndjekje të një skafi pasi kishin siguruar informacion se do të trafikonte kanabis drejt Italisë. Gjatë ndjekjes, trafikantët i shpëtuan policisë duke braktisur edhe mjetin lundrues në grykëderdhjen e Vjosës. Më pas u arratisën në këmbë në drejtim të pyllit, por përfunduan në prangat e policisë një ditë më vonë.

Përveç mjetit lundrues, policia sekuestroi edhe dy automjete, që dyshohet se janë përdoruar nga trafikantët për transportin e lëndës narkotike.

Tv Klan