Bllokohen në tunel 4 persona, njoftojnë policinë
Kryeqyteti italian, Roma është përballur të enjten me një skenë e denjë për serialin e Netflix, “Casa de Papel”. 4 persona janë shpëtuar nga forcat policore pasi u bllokuan nën tokë teksa po gërmonin një tunel të nëndheshëm.
Sipas mediave italiane, synimi i tyre ishte i qartë. Ata po gërmonin në një tunel në 5 metra thellësi për të pasur mundësinë që të mbërrinin në një kasafortë bankare që ndodhej vetëm 300 metra larg. Plani dështoi për shkak të shembjes së asfaltit.
Puna e ekipeve të zjarrëfikësve dhe policisë ka zgjatur me orë të tëra për shpëtimin e 4 autorëve. Në fillim u nxorrën tri prej tyre teksa më vonë është bërë i mundur edhe shpëtimi i personit të katërt. Gjatë këtij operacioni, personi i mbetur në tunel është furnizuar me oksigjen dhe ushqim.
Të paktën 3 persona të tjerë që mendohet se janë pjesë e bandës janë arrestuar. Shumica e tyre kanë precedentë të mëparshëm penalë.
Tv Klan