Një grup prej 6 personash është arrestuar këtë të hënë ndërsa një person është shpallur në kërkim, pasi dyshohen si autor të një tentative vjedhjeje me armë  të një banese.

Katër ditë më parë, gjatë operacionit policor të koduar “Eksplozivi”, u arrestua dhe një pjesëtar i këtij grupi, Franci Alimi i cili dyshohet se vuri eksploziv në një lokal në kryeqytet.

Në cilësinë e provës janë sekuestruar arma e zjarrit dhe veshjet e përdorura gjatë tentativës për vjedhje, dy automjete, një sasi municioni luftarak dhe 5 telefona celularë. 

 Operacioni i koduar “Mozaiku” është kryer nga Komisariati Nr. 2 i Tiranës, ku pas njoftimit të marrë se në rrugën “Frederik Shiroka”, persona të paidentifikuar kanë tentuar të vjedhin me armë në banesën e shtetasit E. M, por nuk kanë mundur, pasi janë diktuar nga të zotët e banesës, kanë organizuar punën për zbardhjen e ngjarjes.

Të arrestuarit janë  Spartak Qoku 30 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje në bashkëpunim, Petro Sava  23 vjeç, Andi Kraja (agjent banke),  Emel Hajdaraj  25 vjeç, Klaudio Metaj  33 vjeç dhe Aleks Kala (punonjës i Gardës së Republikës), të gjithë banues në Tiranë.

Në kërkim është shpallur një 29-vjeçar me inicialet A. Sh.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi Franci Alimi, 28 vjeç, është bashkautor edhe në këtë ngjarje. 

“Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se shtetasit S. Q. dhe E. H., në bashkëpunim me shtetasin E. K. (i arrestuar më parë), janë autorë të vjedhjes së banesës së shtetasit M. Sh., ngjarje e ndodhur në muajin prill 2020. Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që dyshohet se janë kryer nga këta persona. Materialet do t’i dërgohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja me armë” e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje””, njofton policia. /tvklan.al