Dy partitë të njohura me emrin Bashkimi Liberal Demokrat përshëndesin takimin Majko- Berisha dhe e quajnë atë shpresëdhënës për një politikë më moderne. Por pas këtij takimi Bashkimi Liberal Demokrat mendon se duhen hedhur hapa të tjerë politik që më të ngutshmet për këtë parti janë të renditura në pesë pika.

E para është Rendi Publik dhe vendosja sa më e shpejtë e tij. Masa emergjente ekonomike për të frenuar uljen e nivelit të jetesës. Goditja e pamëshirshme e kontrabandës kudo që ndodhet ajo si dhe sipas tyre duhet një mbështetje më aktive e Kosovës. Si pikë e pestë është zgjedhur zbardhja e vrasjes së Azem Hajdarit, lirimi i Ekrem Spahiut dhe rikthimi i imunitetit të ish presidentit Sali Berisha.

Ndërsa për të përballuar sfidat aktuale të Shqipërisë sipas kësaj partie duhen ndërmarrë këto hapa. Krijimi sa më parë i një qeverisje të re ku pesha të mbahet nga të dyja palët Pozitë -Opozitë. Pra krijimi i një qeverie tjetër i emëruar si “Qeveria e kompromisit historik” me afat 1-2 vjeçar. Më pas arritja e një pakti për çarmatosjen. Kjo do të jetë sipas partisë Liberal Demokrate edhe rrugëzgjidhja më e mirë për Shqipërinë./tvklan.al

Gazetare : Holta Zhiti