Balluku: Panelet fotovoltaike do prodhojnë energjinë për pompat, duke ulur kostot

Brenda muajit Gusht banorët e Tepelenës dhe Memaliajt do të kenë ujësjellësat e rinj duke i dhënë fund problemit të furnizimit me ujë. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi nga afër projektin pilot, i cili ka nisur të zbatohet që në fillim të vitit.

“Këtu vizita sot konsiston në një projekt që ne e kemi nisur  në fillim të 2021, pra Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, një projekt që implementohet nga Agjencia e Eficencës së Energjisë dhe ka të bëjë me ujësjellësat e zonës së Tepelenës dhe Memaliajt”.

Panelet fotovoltaike do të mundësojnë energjinë për vënien në punë të pompave të ujit, duke eliminuar sipas Ballukut edhe problemet e debisë së ujësjellësave me OSHEE-në.

“Problemet kryesore që ujësjellësat kanë sot faktikisht është pagesa e energjisë elektrike, shumë debite të pashlyera ndër vite. Duke krijuar këtë pavarësi energjetike përmes paneleve diellore në disa prej ujësjellësave, ne kemi nisur këtë projekt pilot i cili duket që nga hapat e parë që është me të vërtetë efikas”.

Ky projekt pilot pritet të implementohet edhe në ujësjellësa të tjerë të vendit, duke ofruar furnizim me ujë edhe në zonat problematike të Shqipërisë, theksoi Balluku.

Klan News