Këtë vit në javën globale të parasë, Banka e Shqipërisë ka zgjedhur një tematikë shumë shqiptare. Është tashmë viti i gjashtë që Banka e Shqipërisë organizon një sërë aktivitetesh ku përfshihen fëmijë e të rinj për t’i nxitur ata jo vetëm të kursejnë, por edhe të krijojnë një kulturë pune.

Ishte slogani “Tepër i ri për të folur me lekë të vjetra” ai që ngjalli interesin e nxënësve nëpër shkollat 9-vjeçare, të mesme dhe universitete, për të reflektuar mbi gabimin 55-vjeçar të shqiptarëve sa herë flasin për paranë. Tre konkurse për fotomontazhin, videon dhe esenë më të mirë ishin një mënyrë për të na kujtuar se të thuash 5 mijë lekë kur mbi kartëmonedhë lexohet 500 lekë është një keqkuptim që duhet ta kishim hedhur pas krahëve prej kohësh.

Vetë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në javën e parasë vizitoi Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës ku iu përgjigj pyetjeve të studentëve në lidhje me funksionet që kryen institucioni më i lartë financiar në vend. Në një intervistë për emisionin “Jo vetëm modë” në Tv Klan, Sejko po ashtu tregon qëllimin e projekteve të organizuara në kuadër të javës së parasë.

“Pas krizës financiare ka marrë dhe një rëndësi të veçantë edukimi financiar i popullatës për të marrë informacion në lidhje me financat, kursimet por edhe me produktet financiare. Kriza ka treguar se mospasja e njohurive të duhura i ka ekspozuar njerëzit ndaj humbjeve të kursimeve të tyre. Ne si bankë qëndrore duam që gjuhën tonë të komplikuar ekonomike ta bëjmë sa më të kuptueshme për njerëzit.

Tema kryesore e javës së parasë këtë vit është “Mëso, kurse dhe fito”. Këtë vit kemi dashur t’i vëmë një fokus javës së parasë, lidhur me lekun e ri dhe lekun e vjetër pasi për shumë kohë ka një keqkuptim dhe keqpërdorim të termit lek i ri dhe lek i vjetër. Në kuadrin e edukimit financiar ne jemi përpjekur ta shfrytëzojmë edhe për këtë qëllim që të insistojmë në përdorimin e lekut të ri. Nuk ka lek të ri dhe lek të vjetër, ka thjeshtë lekë. Dhe për këtë javë paraje ne kemi vënë sloganin “Tepër i ri për të folur me lek të vjetra”,

tha Sejko.

/tvklan.al