Infektime të larta edhe në Hungari, Çeki e Poloni

E gjithë Europa po përballet me shifra në rritje të pandemisë. Edhe këtë 24 orësh, Franca ruan rekordin e infektimeve ditore në kontinent me gati 30 mijë raste.

Shifrat e larta të infektimeve e kanë çuar në nivele historike numrin e të shtruarve me Covid-19 në terapinë intensive, të cilët zënë 70% të totalit duke futur në krizë gjithë sistemin spitalor vendas.

Rritje të dukshme të infektimeve ditore kanë pësuar edhe vendet e lindjes së Bashkimit Europian. Polonia shënoi shifrën e dytë më të lartë ditore të të infektuarve për këtë vit, gjatë këtij 24 orëshi.

Nga e hëna hyn në fuqi një tjetër bllokadë kombëtare që mbyll të gjitha aktivitetet jo-jetike. Masa bllokuese prej më shumë se një jave po aplikon edhe Çekia që vazhdon të ketë nivele rekord infektimesh ditore. Rekorde absolute infektimesh po shënon edhe Hungaria prej tre ditësh. Më i larti u regjistrua në 24 orët e fundit me mbi 9 400 raste të reja.

Infektimet janë në nivele të ulëta në Britaninë e Madhe me rreth 5 500 raste ditore. E njëjta tendencë është edhe në Shtetet e Bashkuara.

Tv Klan