Trupat shqiptare nisen drejt Aleksandropolit
Greqia ka ndryshuar mendje dhe nën kërcënimin e zjarreve që deri me tani i kanë marrë jetën 20 personave dhe kanë rrethuar Athinën, ka pranuar ndihmën e Shqipërisë për shuarjen e tyre.
Më herët, këtë të mërkurë, ajo e refuzoi ndihmën shqiptare teksa ekipet ishin në kufi, duke deklaruar se modulet tokësore që ofronte Shqipëria ishin të panevojshme, pasi ishin plotësuar nga vendet e tjera. Por gjatë pasdites vendi fqinj ka lëshuar një tjetër thirrje pranë Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, duke pranuar ndihmën e ofruar nga vendi ynë.
Lajmin e konfirmoi ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ndërsa në mbrëmje rreth 50 trupa të shërbimeve zjarrfikëse të Maliqit, Korçës, Gjirokastrës dhe Dropullit si dhe 9 mjete të forcave të armatosura dhe sistemit të mbrojtjes civile mbërritën sërish në kufi dhe u nisën më pas drejt Aleksandropolit, aty ku është edhe situata më e vështirë me zjarret.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Kryeministri grek, Qiriakos Mitsotakis i cili ka falenderuar Shqipërinë për trupat dhe mjetet zjarrfikëse që dërgoi për të asistuar me zjarret në vend.
Ndihma që Shqipëria i jep Greqisë vjen në një kohë kur marrëdhëniet me Tiranës dhe Athinës nuk janë në ditët më të mira, çka u pa edhe në mungesën e ftesës për kryeministrin Rama në samitin e Athinës që mbajti kryeministri Mitsotakis me liderët e Rajonit në Athinë dhe në përgjigjen që Rama dha për këtë çështje.
Ajo e Aleksandropolit konsiderohet si vatra më e madhe dhe më e rrezikshme e momentit pasi rrezikon periferinë e qytetit lindor dhe që nuk po arrihet të vihet nën kontroll prej 5 ditësh, ndërsa në gjithë vendin numërohen 209 vatra të hapura në tri ditët e fundit.
Një krizë e përmasave të tilla ishte edhe ajo e një muaji më parë, e shkaktuar po për shkak të valës së të nxehtit, që u konsiderua si më e rënda e dekadave të fundit.
Tv Klan