Një tërmet me magnitudë 7.1 goditi Perunë jugore mëngjesin e së premtes. Ajo që pasoi ishte një aktivitet masiv nën atë që njihet si Unaza e Zjarrit e Paqësorit, që shkaktoi 46 lëkundje sizmike nëpër shtetet që ndodhen në këtë zonë.

Epiqendra ishte rreth 27 kilometra në verilindje të qytetit të Azangaro, pranë kufirit peruvian me Bolivinë, në rajonin Andeve.

Sipas Institutit Gjeologjik Amerikan, tërmeti ndodhi në një thellësi të pazakontë prej 257 kilometrash. Pjesa më e madhe e tërmeteve të mëdha në Amerikën e Jugut ndodhin në një thellësi prej 70 kilometrash ose më shumë.

Lëkundja e fortë ngjalli fillimisht frikë për cunami, megjithatë më vonë autoritetet konfirmuan se bazuar në të dhënat e tyre, nuk pritej një i tillë.

Tërmeti ra rreth orës 08:50 me orën lokale dhe u ndje nëpër Amerikën Jugore, në Brazilin fqinj, Bolivi dhe Kili. Deri më tani, mediat ndërkombëtare shkruajnë se nuk raportohet për dëmtime në njerëz, apo dëme materiale.

Peruja ndodhet në të ashtuquajturën Unaza e Zjarrit e Tokës, një zonë fatkeqësish gjeologjike me formën e patkoit, ku ndodhin 90 përqind e tërmeteve të botës. Ky rajon sizmik shtrihet përgjatë brigjeve të Paqësorit, aty ku pllakat e paqësorit përplasen me pllakat e tjera që formohen nga korja e tokës.

Tërmetet shkaktohen kur këto pllaka fërkohen ose rrëshqasin nën njëra-tjetrën. Kur kjo ndodh në det mund të sjellë cunami. Tërmeti i kësaj të premteje vjen vetëm një javë pasi një lëkundje me magnitudë 7.5 goditi rajonin kufitar Peru-Ekuador.

//tvklan.al