Lëkundjet u ndjenë edhe në Tiranë

Një tjetër tërmet i fuqishëm goditi Greqinë në orën 19.38 minuta të së enjtes. Sipas Institutit Gjeodinamik te Observatorit Kombëtar të Athinës, tërmeti ishte me magnitudë 5,9 i shkallës Rihter, ndërsa epiqendra e tij u regjistrua pak kilometra nga Larisa. Banorët dolën të trembur nga banesat e tyre…

Lëkundjet e tërmetit u ndjenë edhe në juglindje të Shqipërisë, e madje edhe në kryeqytet. Sinjalizimet erdhën kryesisht nga qyteti i Korçës dhe Pogradecit, por deri tani nuk është raportuar për dëme materiale.

Burime zyrtare nga Instituti i Gjeoshkencave bëjnë të ditur se tërmeti është ndjerë 3 deri në 4 ballë edhe në vendin tonë, por pohojnë se Shqipëria nuk rrezikon nga këto lëkundje. 

Edhe paraditen e së mërkurës Greqia u godit nga një tërmet me magnitudë 6.3 Rihter, i cili shkaktoi dëme të mëdha material në zonën e Larisës. Pas tij, janë regjistruar dhe lëkundje të tjera të fuqishme pas-sizmike.

Tv Klan