Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 5.7 tronditi Turqinë pasditen e sotme duke shkaktuar të plagosur dhe dëme materiale.

Sipas mediave turke, lëkundjet sizmike u ndjenë më së shumti në qytetin Karliova, ku dhe janë shënuar dëmet.

Kulla e rojes e një stacioni policor në këtë qytet u shemb, duke lënë të plagosur 3 punonjës policie. Lajmi është konfirmuar nga ministri i Brendshëm i Turqisë. Lëkundjet e tërmetit u ndjenë edhe në provincat Erzurum, Mus, Erzincan.

Pas tërmetit të madh, vendi u godit edhe nga dy tërmete të tjera me intensitet 4.6 dhe 4.7 të shkallës Rihter. Sizmiologët thanë se thellësia e tërmetit ishte 8 kilometra nën tokë. Dëme pësuan edhe ndërtesa të tjera. Ndërsa banorët dolën në rrugë të frikësuar.

Ministri turk i Mjedisit bëri me dije se në terren kanë dalë ekipet e emergjencës. Ai theksoi se autoritetet po ndjekin nga afër zhvillimet për këtë ngjarje. /tvklan.al