Magnituda 5.5, panik te banorët

Sipas njoftimeve të Opservatorit Sizmologjik pranë Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore, tërmeti me intensitet 5.5 sipas Rihterit ka ndodhur në orën 4 e 54 minuta dhe është ndjerë në gjithë territorin e vendit, kurse epiqendra ka qenë 50 kilometra në jugperëndim të Shkupit, në rajonin Tetovë-Gostivar në afërsi të Mavrovës, në thellësi prej 8.5 kilometra.

Tërmeti ka shqetësuar qytetarët e këtij rajoni, kurse nëpër rrjetet sociale vazhdimisht shpërndahen pamjet nga kamerat e sigurisë gjatë lëkundjeve të mëngjesit. Lëkundjet e tërmetit kanë shqetësuar edhe kafshët në Kopshtin Zoologjik në Shkup.

Opservatorët Sizmologjik, sot gjatë ditës kanë regjistruar edhe lëkundje tjera tërmetesh, kurse sipas njoftimeve më i fuqishmi ka qenë në mesditë me intensitet 4.4 ballë sipas Rihterit.

Fatmirësisht përveç shqetësimeve tek qytetarët, deri më tani nuk janë regjistruar dëme, por nëse ka, qytetarët mund të paraqiten në Qendrën për Menaxhim me Kriza në numrin e telefonit 195.

Për shkak të lëkundjeve të tërmetit, organet kompetente në Mavrovë kanë rekomanduar që të mos shfrytëzohet uji për t’u pirë, për shkak të dëmtimit të rrjetit të ujësjellësit. Kjo ndalesë, siç thonë nga atje, vlen derisa të qetësohen lëkundjet.

Ndërkohë, përmes Facebook-ut kanë reaguar nga Oda për Energjetikë e Maqedonisë. Sipas tyre tërmetet ndodhin si pasojë e mbushjes dhe zbrazjes së pakontrolluar të liqeneve.

Përveç se në vendin tonë, tërmeti i mëngjesit është ndjerë edhe në Shqipëri dhe Kosovë. Numri i madh i denoncimeve përkohësisht kishte bllokuar ueb-faqen e Qendrës Sizmologjike Mesdhetare – EMSC.

Siç kanë njoftuar përmes Twitter-it nga kjo qendër, trafiku i dendur nga shfrytëzuesit ka qenë i barabartë me sulm hakerësh të llojit DDOS, me qindra mijëra vizita të serverëve në më pak se një minutë. Siç kanë sqaruar nga EMSC, kjo ka të bëjë me popullaritetin e aplikacionit në rajon, veçanërisht në Shqipëri ku ka më shumë se 200 mijë shfrytëzues.

Klan Macedonia